Quantcast
Channel: » Kulture
Viewing all articles
Browse latest Browse all 3090

E shkuara: e ardhmja e së tashmes

$
0
0
16010304_10154570034894843_277918639_o-2

Arti pamor shqiptar, një pjesë e të cilit është edhe krijimtaria e artistit Artan Draçini, mbetet përherë imazh i konceptuar mbi një situatë apo fenomen. E tillë atmosferë, e pasur me imazhe të abstraguara në disa forma, buron qoftë nga bota natyrore, qoftë nga bota e nënvetëdijes njerëzore edhe në mjedisin artistik të artistit Draçini. Shpalosja emocionale e figurës, në këtë ekspozitë, përball situatën apo fenomenin, ku ka ndodhur shtysa e procesit krijues.

16010304_10154570034894843_277918639_o-2

Artisti ka përpunuar realen përmes idesë së çastit dhe ka krijuar imazhe konceptuale. Imazhet janë kryesisht të formës që lexohet, por kyçi i tyre është abstragimi në thellësinë e realitetit. Artisti nuk tenton të risjellë realitetin përmes aftësive të larta krijuese, të cilat i zotëron, por sepse nuk e përdor artin e tij për këtë qëllim. Impenjimi i tij është proces komunikimi me rikrijimin e imazheve më të përgjithshme të situatave tona vetjake në jetën e përditshme.

Këto memorizime na përkasin të gjithëve, por shpesh i lëmë të harruara në sektorin tonë të kujtesës dhe të sjelljeve tona të dikurshme. Kjo ndodh me fletët e grafikës, të cilat ai i grupon me shije dhe na shkakton atë ndjesi të së shkuarës, e cila na pëlqen dhe ledhaton vetëdijen.

E te vepra “A ekziston Babagjyshi i festave?”/ “Does SANTA CLAUS exist?”, krijim i vitit 2013, kontrasti i së zezës, pikuar me të kuqet e pakta, por plot ndjeshmëri, risjell emocionalisht harresën e gëzimit të trishtuar njerëzor në një kohë X në të shkuarën, që përsëritet në të ardhmen e së tashmes.

Dhe te “Peizazhe të gdhendur” / “Engraved landscapes”, krijime 2012 – 13, në mënyrë të padukshme, pa shumë zhurmë e me intimitet, risjell me ironi të vëmendshme mënyrën tonë të sjelljes dhe të shijeve për ndryshimin e pamjeve që na sugjerohen çdo herë. Artisti është faktori themeltar i imazheve, të cilat fillimisht, i lind si ndjesi vetjake e të fshehta. Ai i ruan në burimin racional e më pas i shpërthen emocionalisht, ku bota e tij e brendshme shkapetet në të gjitha muret imagjinative. Aty, ku ndodhemi të gjithë, tek ekspozimi i tyre. Tek Artan Draçini, habitati i vet rrënjësor dhe njeriu me plotësinë e tij transmetohen si fakte universale.

Ai nuk vizaton, gdhend apo pikturon në imazhe atë që është treguar, por nën presionin e respektimit të artit, sjell mënyra të reja pasqyrimi dhe rikonceptimi të ideve, që i përpunon i mbështetur në situatën e prezantuar. Ai krijon qarkun e madh e të lëvizshëm të meditimeve vetjake mbi ndjesitë njerëzore, mbi objektin e veçantë, i cili herë vishet me histori të vjetra e herë mbart ato më të rejat.

Kjo është veti e tij në ato piktura ku ndërgjegjja vetjake ngrihet në ndërgjegje madhore, për të risjellë si mirazh të prekshëm faktin e vërtetë historik. Kjo është gdhendur në punën e tij më të fundit “Dekolazh”/ “Decollage”, 2017, në të cilën paraqitet populli i Tiranës, duke pritur të akuzuarit e gjyqit të At Anton Harapit në shkurt 1946. Vepra, jo vetëm për faktin historik, por për procesin krijues, për formën konceptuale të impenjimit artistik është një arritje e lartë cilësore e vetëbesimit të tij në procesin realizues të materialit argjendat të aluminit, i cili jep një imazh fantastik, përmbush qëllimin e tij konceptual dhe krijimi i tij ndihet modern.

Artan Draçini arrin t’i konkretizojë, t’i bëjë të prekshme dhe të na i rikujtojë në formën e mirazheve keqkuptimet njerëzore si fenomene të çdo lloj shoqërie. Kjo ndodh edhe kur nuk e shquajmë njeriun në mjediset grafike, por ndiejmë kudo frymëmarrjen e tij. Edhe nëse gdhendja apo vizatimi grafik na çon shumë larg në kohët e portave të drunjta me harqe guri, por edhe kur ai gdhend në kontrastin e argjendtë perceptimin artistik mbi faktin politik e historik, imazhi na kërkon ta rikonceptualizojmë përmbajtjen. E bën këtë shumë fort e me shumë art, kur gdhend e pikturon grafikisht imazhe të njeriut real të fotografuar në një kohë të shkuar.

E bën këtë për më tepër, për ta sjellë në formën e simbolit të idesë së ekzistencës, sesa të njeriut në formën e tij strukturore. E bën për të na treguar se simbolika e situatave të së shkuarës vjen si një trokimë e së ardhmes në të tashmen tonë. E kjo në përsëritje e në përsëritje për kohët është sublime dhe kur e marrim në imazhe të konceptuara nga i njëjti artist. Simbolika e së shkuarës është një kambanë e trajtimit të përfunduar, por që një artist konceptual si Draçini, e rikthen, e përjeton dhe e pasqyron si fakt keqkuptues dhe ironik i së tashmes, duke krijuar një art të qëndrueshëm në sistemin e vlerave të artit modern shqiptar të shekullit që jetojmë.

Ekspozita vetjake e Artan Draçinit, rrjedhimin e titullit “E shkuara: e ardhmja e së tashmes” e merr pikërisht nga ky fakt fenomenesh, që i lidh më së pari estetika e poetikës artistike dhe më pas ripërshkrimi i nëndheshëm e jo realist i ndodhive historike. Në ekspozitën e Artan Draçinit, rrjedhën meditative dhe të zakonshme të krijimit për krijim nuk do ta gjejmë askund. Çastin tregimtar e fsheh procesi i tij i krijimit.

Koncepti modern i riprurjes së të shkuarës me qëllim njohjen e keqkuptimeve të identitetit njerëzor në të tashmen, qoftë dhe në mjedisin lokal, përmes aftësive të krijimit, është prezantim i suksesshëm i një artisti të preokupuar, të ndërgjegjshëm, aktiv dhe domethënës ndaj publikut të sotëm dhe artit të nesërm. *Studiuese arti Prishtinë, 22 shtator-22 tetor 2017


Viewing all articles
Browse latest Browse all 3090