
“Në shtrat me armikun”. Kjo është tema e këtij viti në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”.
Dhe duket se do të jetë një sezon “luftarak”. Mungesën e fondeve dhe vëmendjes së Ministrisë së Kulturës, drejtori i TKES, Kiço Londo, ka vendosur t’i përgjigjet me dyfishin e projekteve të një viti më parë. Dje, në oborrin e teatrit, Londo prezantoi kalendarin e sezonit të ri artistik. Një sezon i pasur me tituj shfaqjesh për fëmijë, adoleshentë e të rritur, që do të ngjisin në skenë emra të njohur të skenës teatrore, si Robert Ndrenika, Roza Anagnosti, Luiza Xhuvani, Arben Derhemi, Genci Fuga, Rozi Kostani, Alert Çeloaliaj etj., si dhe një kast artistësh të rinj, që kanë gjetur “shtëpinë” e tyre te TKES. Madje do të ketë edhe një festival të dramaturgjisë franceze në kuadër të javës së frankofonisë. Duke numëruar sukseset e një viti më parë, Londo iu rikthye çështjes së fondeve të munguara. Sipas tij, me 3% të buxhetit për teatrin, institucioni që ai drejton, me vetëm 11 veta staf, ka arritur të realizojë 60% të të gjithë produktit teatror në vend. Duke bërë krahasime me veten (institucionin), Londo u shpreh se teatri shqiptar tashmë e ka humbur orientimin dhe misionin e vet. Por më së shumti duket se Londo e ka me komshinjtë, që i ndan një pishinë, Teatrin Kombëtar. Gjatë konferencës i përmendi disa herë “komshinjtë” dhe e pandërgjegjshmja ia çonte gjuhën vazhdimisht te TK.
VËREJTJET PËR TEATRIN KOMBËTAR
“TKES është një shinë krejt tjetër, por jo domosdoshmërisht pjesa tjetër e teatrove duhet që të vijnë në këtë shinë, sepse nuk vijnë dot, edhe kjo është normale. Por duhet që të ecin në një shinë tjetër, krejt ndryshe nga ajo e deritanishme, sepse unë mendoj se në përgjithësi Teatri Kombëtar shqiptar është një teatër i çakorduar, edhe që nuk është në funksionin, misionin, edhe në rentabilitetin e vet. Mund të krijohet ideja se çfarë janë duke bërë këta të TKES? Ajo që bëjmë ne është fare e thjeshtë. Kemi arritur që të fokusohemi në tri pika: 1. Puna e aktorit me veten; 2. Puna e aktorëve me njëri-tjetrin dhe 3. është spektatori. Eksperimenti ynë synon në krijimin e këtij trekëndëshi. Ajo që është në mes të këtij trekëndëshi është energjia që bën të mundur një shifër kaq të madhe, 350 shfaqje”, tha Londo. I pyetur për ta sqaruar më tej se ç’do të thotë me “çakordim” të teatrit, Londo u përgjigj se “trajektorja që ndjek teatri shqiptar, përfshirë edhe Teatrin Kombëtar, është e gabuar. Nuk ka përse të më pyesni. Fakti që me 95 për qind të financave që merr teatri shqiptar (12 të tillë) bëhet vetëm 40 për qind e produksioneve, edhe me tre për qind bëhen 60 për qind, do të thotë që teatri shqiptar në përgjithësi, edhe ata që e drejtojnë teatrin, duhet të mbahen nga muri. Kur dy veta të thonë që je i dehur, duhet të mbahesh detyrimisht nga muri, edhe pse ke dhjetë vjet që nuk vë alkool në gojë”, tha Londo.
ZGJIM ME KËNGË GJELI
Madje, edhe sloganin e këtij viti duket se TKES e ka vënë të atillë që të “vërë në sedër” edhe fqinjët. Slogani është “U ngritëm”, ndërsa posteri paraqet një tufë gjelash me atlete. “Kuptimi i parë është që TKES është ngritur. I dyti është që kënga e gjelave është një zgjim nga gjumi, edhe natyrisht që kur zgjohet nga gjumi njeriun e pret një ditë plot sfida. Edhe gjelat kanë një të mirë, që zgjojnë të zotin edhe komshiun, është një tendencë për t’u zgjuar të gjithë komshinjtë tanë, Ministria e Kulturës, edhe ata që kanë në dorë fondet publike, se me krenari falë stafit të artistëve të rinj, por jo
vetëm, meritojmë më shumë vëmendje, sepse jemi i vetmi institucion që financat publike nuk i japim askund pa kontribut publik. Kjo është arsyeja që me fondet publike të tre projekteve ne bëjmë 15. Kësaj here kemi vendosur të mos qahemi, por të bëjmë 31 projekte me kaq lekë. Madje na detyrohen edhe 20 për qind nga viti paraardhës, që shpresoj që MK të na i lirojë deri në fund të vitit, se janë fonde të artistëve, që përpiqen bashkë me ne, edhe nganjëherë nuk mundet që ta kenë jetën fort normale për shkak të kësaj mungese”, tha drejtori Londo. Tema e vitit është “Në shtrat me armikun”, ndërsa motoja “Për çdo hap në dritë duhet paguar taksa e hijes. Për çdo hap në errësirë paguhet gjithë mungesa e dritës”. Dhe me këtë temë e me këtë logo, Londo do të “godasë” dikë.
ALMA MILE