Anila Dedaj/ Studiuesi Moikom Zeqo, i ndarë nga jeta mëngjesin e 15 qershorit, është edhe një nga iniciatorët që “luftuan” në fillimet e viteve ’90 për të krijuar atë që do mendohej si e majta moderne.
Ndonëse nga viti 1991 qe një nga organizatorët e Kongresit të 10-të, ku do të ndodhte edhe kthimi i madh në përmbajtje dhe në emër i Partisë së Punës, që u shndërrua në Parti Socialiste, pas detyrave si ministër Kulture (1991) dhe deputet i PS-së deri në 1996, poliedriku do të lihej i përjashtuar nga politika. Megjithatë, ai qe gjithmonë i pranishëm përmes fjalës së tij në ngjarjet e ditës, veçanërisht ato politike e kulturore, si një nga mendimtarët më të vyer dhe zërat kritikë ndaj të gjitha partive politike. Në ceremoninë e nderimit të tij ditën e djeshme, para përcjelljes për në banesën e fundit, ishin të pranishme edhe disa nga figurat kyçe të politikës. Nga Presidenti Ilir Meta, te kreu i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, etj. Disa prej tyre shprehën edhe konsideratat e tyre për të.
Ilir Meta: Moikom Zeqo në vitet ‘90 mund të kalonte me PD, por s’e bëri këtë
Presidenti Ilir Meta, që afro një vit më parë i akordoi Moikom Zeqos titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”, shprehu dje vlerësimet për të duke kujtuar edhe kontributin e tij në PS gjatë viteve të para ’90. “Ishte një personalitet, i cili mund të kalonte menjëherë me Lëvizjen Demokratike, po nuk e bëri këtë.
Nuk i mohoi bindjet e dhe karakterin e tij. Ai ishte i majtë në bindjet e tij, por pa dyshim që ishte një i majtë me bindje të forta demokratike dhe këtë e tregoi gjatë gjithë jetës së tij. Ishte ndër kontribuuesit kryesorë për hapjen dhe emancipimin e PS-së dhe që mbështeti të rinj si unë apo Pandeli Majko e të tjerë, për të bërë një transformim të së majtës dhe për të ndërtuar një alternativë konkurruese dhe kjo ndodhte në momentet më të errëta të së majtës gjatë fundit të vitit 1991 e fillimit të vitit 1992”.
Meta tregon Zeqon edhe si një njeri idealist e të pakompromis. “Si rrallë të tjerë, ai edhe brenda familjes së tij politike ruajti personalitetin e tij dhe ishte gjithmonë kritik e parimor. Ishte një personalitet, që ndonëse konsiderohej problematik për pushtetin, ishte gjithmonë i dashur nga qytetarët, dashamirësit e tij të pafund që vlerësojnë virtytet e tij, njohuritë, si dhe mungesën e kompromiseve, për të vendosur interesin e tij para interesit publik dhe atij kombëtar. Mbetet një figurë e dashur dhe e adhuruar jo vetëm brenda vendit, por kudo jetojnë shqiptarë, në të gjithë botën. I dashur për të gjithë ata që janë krenarë për kulturën, traditat, trashëgiminë tonë e që luftojnë për t’i mbrojtur ato”, shtoi ndër të tjera Presidenti.
Alfred Moisiu e Pandeli Majko: Më i veçanti, patriot në emër të popullit
Ish-Presidenti Alfred Moisiu rrëfeu dje gjatë homazheve përshtypjet e tij nga njohja me Moikom Zeqon. “Kemi qenë bashkë në dy delegacione të ndryshme. Ishte një erudit, patriot në të mirë të popullit të tij. Iku para kohe, në një periudhë që na duhen shumë njerëz të tillë. I duhen popullit, vendit”, shtoi ai. Po ashtu, ministri i Diasporës, Pandeli Majko, e vlerësoi Moikom Zeqon si një nga personalitetet e rralla që ka pasur PS-ja. “Për mua ai mbetet shok, mik. Ka qenë pjesë e grupit më të mirë parlamentar që ne kemi pasur, atij të vitit 1992-1996. Moikomi ishte ndër më të veçantët e atij grupi. Nuk ishte thjesht një politikan i mirë, por mbi të gjitha njeri i mirë”, shtoi më tej ai.
Arta Dade: Një intelektual i mirëfilltë
“Një mik i yni i përbashkët këto ditë, më kujtoi një shprehje të Shën Markut, që thotë se ‘nuk duhet të hidhërohemi që na ka ikur, por duhet të gëzohemi që e kemi pasur’”. Ish-ministrja Arta Dade, mike dhe bashkëpunëtore e hershme me poliedrikun Moikom Zeqo, u shpreh dje se ndarja fizike e tij i trishton të gjithë ata që e njohën nga afër dhe përmes veprës.
“Me të na ka lidhur një miqësi 30-vjeçare dhe është e natyrshme që ikja e një miku lë një zbrazëti, e cila do kohë që të mbushet. Do të na mungojë në bisedat e ngrohta, në analizat e tij të thella, sepse Moikom Zeqo ishte gjithashtu një qytetar i angazhuar, një intelektual i mirëfilltë. Ai i kalonte caqet e partive, prandaj ka qenë një shembull edhe për të gjithë ata që e kanë njohur, në mënyrën sesi i bënte gjërat edhe në politikë. Unë besoj se Moikom Zeqo do të mbahet mend dhe do të jetë i paharruar, jo vetëm për brezin tonë, për edhe për brezat që do të vijnë, përmes veprës që ka pas”, u shpreh Dade.