Quantcast
Channel: » Kulture
Viewing all articles
Browse latest Browse all 3128

Ekspozita e re, Përvathi: Duhet dashuri për të zbuluar Shqipërinë e bukur

$
0
0
pashk1

Atje ku shumëkush mund të shohë një fshat të braktisur, një fushë të shkretë, një grykë të hirtë dhe kërcënuese mali, Pashk Përvathi sheh të bukurën.

pashk

“Duhet pak dashuri”, thotë ai. Dhe më tej nuk ka asgjë të vështirë. Kushdo që e njeh dorën e Përvathit, do të shkonte me dëshirë në çdo ekspozitë të tij, edhe te kjo e radhës, ani pse është e 39-a.

Nëse në sallën e ekspozimit nuk ka shumë njerëz, edhe më mirë. “Shqipëria, vend i bukur” është një ekspozitë që shijohet në qetësi, për të shijuar përmes ngjyrash, gjithë aromat e stinëve dhe për të marrë në mënyrë të drejtpërdrejtë mesazhin që piktori thotë se dëshiron të përçojë te vizitorët: dashurinë.

pashk1

“Shqipëria, vend i bukur” u hap mbrëmë në Muzeun Historik Kombëtar. Është një kolazh prej 60 veprash, të realizuara në 5 vitet e fundit përgjatë rrugëtimeve personale apo si pjesë e kolonive të artistëve, organizuar nga “Toena”.

Në një intervistë për “Panoramën“, ashtu si përmes ekspozitës, Përvathi zbulon Shqipërinë e bukur, projektet e ardhshme dhe tregun e artit.

Që në titull, ju e njoftoni vizitorin për atë që do të shohë në ekspozitën tuaj…

Kam dashur që artistikisht të zbuloj anën më të bukur të Shqipërisë, atë pjesë që nuk është dëmtuar. Shqipëria është e bukur, dhe kur vendosa t’i vë titullin ekspozitës “Shqipëria, vend i bukur”, e kisha edhe si mesazh për ata që nuk e kanë kuptuar vendin e tyre, ata që e kanë braktisur.

Ndoshta kërkohet edhe pak dashuri në kërkim të së bukurës?

pashke4

Piktorët peizazhistë përpiqen ta gjejnë të bukurën edhe tek ajo që duket e shëmtuar. Me dashamirësi, e bukura estetike gjendet, por nuk më është dashur ta zbuloj me vështirësi tek e shëmtuara, sepse e bukura në Shqipëri është gjithandej, mjaft të kesh sy për ta parë dhe zemër për ta dashur. Unë e dua vendin tim dhe e kam parë të ardhmen time dhe të fëmijëve të mi në këtë vend dhe do doja shumë edhe për të tjerët. Ndaj, them se Shqipëria është e bukur. Këtë nuk e them vetëm unë. Mjaft të dëgjojmë të huajt, me të cilët habitemi kur na thonë se Shqipëria është e bukur. Por e vërteta është që për ta kuptuar këtë, nuk është aspak e vështirë. Kemi malet e larta të Valbonës si askund tjetër, kemi Bjeshkët e Nemuna, por kemi edhe bregun e Jonit, Vithkuqin, Pogradecin… Në këtë ekspozitë është e gjithë Shqipëria, një Shqipëri në miniaturë, duke filluar nga Vermoshi, deri në Gjirokastër.

Duke parë tablotë, duket sikur ju udhëtoni gjatë gjithë vitit.. Kur janë realizuar këto vepra?

pashke

Përveç udhëtimeve personale, fatlum për piktorët ka qenë krijimi i një klime artistike mjaft të favorshme, përmes kolonive. Ato hynë si një risi në jetën kulturore shqiptare në 10 –vjetëshin e fundit nga Instituti i librit dhe promocionit “Toena”, e cila ka zhvilluar 40 koloni. Kanë qenë një shkollë për të gjithë dhe një mundësi lëvizjeje nëpër trevat shqiptare dhe jo vetëm. Duke qenë kështu, një pjesë e këtyre punimeve janë si rrjedhojë e udhëtimeve të miat, por edhe të kolonive. Kolonitë kanë krijuar atmosferë. Peizazhistët janë rritur artistikisht dhe të rinjtë kanë mësuar se çfarë është kjo gjini e bukur dhe po e kultivojnë. Pra, ka qenë një periudhë entuziaste, si një vrull, një nevojë për të kapur kohën.

Gaboj, apo vjeshta është stina e preferuar?

Për mua është shumë e çmueshme vjeshta. Edhe pse në ekspozitë ka vepra të realizuara edhe në stinë të tjera të vitit, vjeshta për mua dhe për artistë të tjerë, mbetet më e pëlqyera, për shkak të larmisë koloristike që ka kjo stinë. Vjeshta është gjithë muzikalitet.

Ka “garë” mes kolonistëve?

Kolonitë i kanë miqësuar më shumë piktorët. Unë kam njohur dhe kam forcuar miqësi përmes kolonisë. Janë eksperiencë për të rinjtë dhe garë për më të rriturit. Është një garë e heshtur, që të gjithëve na bën mirë. Ku ka garë, ka evolucion dhe punë më të bukura.

A ka një vend ku ktheheni gjithnjë, me dëshirë?

pashk2

Duke udhëtuar nëpër Shqipëri, ne kemi krijuar zonat tona të preferencës. Vithkuqin e kam shkelur 10 vjet me radhë, por është edhe Polena në Korçë, por edhe gështenjat e Reçit në Shkodër, është Valbona, Lepusha në Vermosha, por unë kam shkuar edhe në lëndinat e Leskovikut, në Prespë, Pogradec, por mbi të gjitha, zona e Korçës mbetet më e preferuara. Unë kam lindur në Lezhë, por qyteti i artit për mua është Korça.

A ka edhe një afeksion njerëzor në këtë udhëtim? A krijohen miqësira me banorët?

Kryesisht kemi udhëtuar në vende, që janë braktisur sot nga njerëzit, për të ardhur te qytetërimi poshtë. Dhe në shumicën e kohës jemi vetmitarë në këto territore, por në zonat e banuara është krijuar edhe një lloj mendimi, që këta bëjnë një punë të çmuar. Kemi ndier respekt. Në Gjirokastër na ofronin kafe, ndërsa pikturonim nëpër rrugica, po siç ka ndodhur edhe në Vithkuq, Valbonë.. Ata e kanë kuptuar edhe përmes mjeteve të informimit, që këta njerëz bëjnë diçka të bukur.

 

A keni ndonjë merak, ndonjë vend ku nuk keni shkuar?

Oh, e kam. Kam luginën e Vjosës, ku dua të shkoj prej katër vitesh, por herë për arsyet e mia, herë të motit jo të përshtatshëm, siç thonë banorët, “është djegur vjeshta”, nuk kam mundur. Por menjëherë pas kësaj ekspozite, kam në plan të udhëtoj në zonën e Vermoshit dhe Luginën e Vjosës.

Ju njiheni si peizazhist, por a ka një moment “shkëputjeje” për t’u hedhur në të tjerë lumenj?

Paralelisht me këto vepra që po publikoj sot, kam punuar edhe për një projekt tjetër, që nuk e kam treguar, por do e bëj të njohur në një ekspozitë të shpejtë. Kam një ekspozitë vetëm me ciganë dhe kam edhe 16 nudo. Kjo është hera e parë që zhvillohet një ekspozitë me këtë tematikë. Sigurisht, dashuria ime është peizazhi, por kjo ekspozitë është mbyllja e një kapitulli. Ky është një rrugëtim 5-vjeçar dhe unë dua ta vendos në arkiv. Mbajtja në studio ka rrezikun e mbushjes dhe mungesë nevoje për të bërë gjëra të reja.

Çfarë ndodh me këto vepra pas ekspozimit?

Ky është një lloj ankandi. Kush ka dëshirë, edhe mund të blejë. Shumë njerëz na vijnë në studio dhe na kërkojnë punët. Por, kam edhe një mundësi tjetër. Punët e mia ekspozohen në tre galeri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku përfundojnë një pjesë e tyre.

Si e vlerësoni tregun e artit në Shqipëri, shihni një lloj përmirësimi apo…?

Kam konstatuar një fakt të rëndë. Tregu i artit në këto dy vitet e fundit është më i vogël, më i ulët, se sa ka qenë më parë.

Cila është arsyeja?

Arsyeja duhet të jetë ekonomike. Njerëzit druhen të shpenzojnë para për kënaqësi, për pikturën. Ne ua kalojmë edhe fqinjëve në dëshirën për të pasur vepra arti në shtëpitë tona. Çdo shqiptar dëshiron ta arredojë shtëpinë edhe me piktura. Ndaj, mendoj se është thjesht çështje ekonomike, një lloj frike për të nesërmen. Ky është konstatim i imi dhe i miqve të mi. Dyvjetëshi i fundit është më i dobëti ndër vitet e tjera.

ALMA MILE


Viewing all articles
Browse latest Browse all 3128

Latest Images