
Nëse ka sot një portret të Shqipërisë për joshqiptarët, disa prej penalatave të rëndësishme të këtij portreti që është ende udhës për t’u plotësuar nga ne të gjithë, kanë firmën e Robert Elsie. Ashtu, i heshtur, thuajse fare i papranishëm në përditshmërinë mediatike, Elsie ndërtoi plot dashuri një portret të historisë dhe kulturës shqipe.
E njohu Shqipërinë në kohën kur gjithçka rrëshqiste në kotësi, në kohën e absurdit të gjithanshëm, në vitin 1978.
Por diti të shihte shumë më larg se sa i prezantonin. Dhe ashtu, ditë pas dite, qëmtoi të zbulonte anën e pathënë të shqiptarëve, për t’ia prezantuar botës, që ende mund të pyesë edhe sot, nëse “ka orar të ndryshëm Shqipëria me Europën?” Fjalori historik i Shqipërisë dhe Kosovës, mitet dhe përrallat shqiptare, apo emra si Fishta, Poradeci, Podrimja e Migjeni kanë qenë nën kujdesin e Elsie që të flasin në anglisht e të botohen.
Prej vitesh e ka dërguar kulturën dhe historinë e shqiptarëve në institucionet më të specializuara ku thuren historitë e botës, ndërkohë që kujdesi i tij ishte një bashkëprezantim, bashkë me pjesën tjetër, Kosovën, të cilën ai nuk u ndal kurrë ta prezantonte kudo dhe kurdo.
Madje, edhe Evlija Çelebiun e hershëm ai e botoi, siç edhe zbuloi dhe botoi dorëshkrimin e historisë së parë të Shqipërisë, të shkruar prej priftit lazarist francez, Jean-Claude Faveyrial (1817- 1893), Histoire de l’Albanie (Histori e Shqipërisë).
Ashtu në urtësi, nën hijen e njeriut që vishej me punën e tij dhe prezantohej vepër pas vepre për prezantimin e vlerave të shqiptarëve, Robert Elsies i lejohej të na thoshte porosi. Ishte gjithnjë me gjithë nurin që ia jepte dashuria për një vend, me të cilin vendoste të kishte lidhjen e tij të pandashme.
“Përpara se të bëheni europianë të mirë, është e rëndësishme të jeni shqiptarë të mirë, me dorën drejt njëri-tjetrit”, tha njeriu i butë, Robert Elsie (Intervista në emisionin “Shqip” me Rudina Xhungën 3 vite më parë), duke prekur qetësisht atë që në heshtje, thuajse e pranojmë të gjithë, ende nuk dimë të ecim së bashku! Sot, shqiptarët janë më të njohur falë veprave të Robert Elsie, që ka guxuar të thotë e sugjerojë, duke kërkuar të pranojmë fytyrën tonë, të shkuarën tonë, kulturën tonë.
Ka prezantuar shqiptarët në forume. Ka ndjekur historinë e re të Kosovës duke qenë në Hagë një nga interpretët e gjyqit ndaj Millosheviçit. Shkurt, ka bashkudhëtuar me ne, duke ngritur flamurin e historisë sonë. Tashmë, shpirti i tij ka nisur një udhëtim tjetër. Trupin e tij na e ka kërkuar ta kemi mes nesh. Një varr, veç dy metra. Por emrin e tij e lartësojnë hapat e tij shqip, i dashuruar pas një vendi, që kurrë nuk e pati rrugën të lehtë, sepse edhe miq të tillë, kanë qenë të rrallë.
Ai është një leksion i së mundurës, një leksion se si mund t’i duam të tjerët, se si mund të përpiqemi për të tjerët. Elsie ka jetuar i qetë, në hijen e madhe të pemës së punës së tij, që sot na bën të ndihemi krenarë e borxhlinj, krenarë që ka qenë miku ynë dhe borxhlinj për gjithçka që nuk kemi mundur t’ia bëjmë të lehtë në udhën e tij.
Ai udhëtoi shqip. Udhëtoi nëpër botë me portretin e zbukuruar nga fjalët dhe përpjekja e një njeriu, që sot meriton një përkulje të thellë nga gjithkush. Sepse nëse ndihemi sadopak krenarë, këtë gjë na e ka bërë disi të mundur Elsie, që diti ta thoshte fjalën e tij në vendin dhe mënyrën e duhur. Faleminderit mik! I lehtë të qoftë dheu!
AGIM BAÇI